Shpëtohen 11 emigrantë në det pranë grykëderdhjes së Vjosës, u gjetën në rrezik me mjet lundrues

Rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm, Policia Kufitare ndërhyri për të shpëtuar 11 emigrantë të huaj, pasi mori njoftim se mjeti lundrues me të cilin udhëtonin ndodhej në rrezik, rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës me dy mjete lundruese tip gomone. Pas kërkimeve, ata arritën të lokalizojnë mjetin dhe të nxjerrin në breg të sigurt të 11 personat.
Sipas të dhënave paraprake, emigrantët e shpëtuar janë 5 shtetas nga Bangladeshi, 3 nga Pakistani, 1 nga Libia, 1 nga Afganistani dhe 1 nga Haiti.
Të gjithë janë transportuar në tokë dhe aktualisht ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk është përcaktuar destinacioni i tyre, ndërsa dyshohet se mund të kenë qenë në tentativë për të kaluar drejt Italisë me mjetin e vogël lundrues.




