Shqipëria drejt BE-së edhe pa të drejtë vetoje? Rama: Nuk e shoh si problem

Shqipëria është e gatshme të pranojë anëtarësimin në Bashkimin Europian edhe nëse për një periudhë të caktuar kohe nuk do të gëzonte të drejtën e vetos. Deklarata është bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel.
Sipas raportimeve të Euractiv, në tryezat e larta të Bashkimit Europian po diskutohen propozime të reja që parashikojnë kufizimin e përkohshëm të së drejtës së vetos për vendet e reja anëtare, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme, si vendosja e sanksioneve dhe vendime të tjera që kërkojnë unanimitet.
Për kryeministrin Rama, një skenar i tillë nuk përbën shqetësim. Ai ka deklaruar se Shqipëria ka qenë vazhdimisht në përputhje të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe se një kufizim i përkohshëm i vetos nuk do të ndikonte në qëndrimet e vendit.
Më herët, Rama së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç kishin mbështetur idenë e një integrimi gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke propozuar përfshirjen në tregun e përbashkët europian dhe zonën Shengen edhe para anëtarësimit të plotë.
Ndërkohë, në diskutimet e fundit ka hyrë edhe një propozim i lidhur me kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili sipas raportimeve parashikon që Ukraina të ketë prioritet si anëtare e asociuar, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë fillimisht rol vëzhgues.
Megjithatë, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka sqaruar se deri tani nuk ka asnjë vendim zyrtar dhe se Bashkimi Europian po vijon procesin sipas metodologjisë aktuale, me synimin për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate.
Sipas Euractiv, çdo kufizim i përkohshëm i të drejtave të vendeve të reja anëtare do të duhej të hartohej me kujdes, pasi traktatet e Bashkimit Europian garantojnë trajtim të barabartë për të gjitha shtetet anëtare.




