Shqipëria me “taksë fjetjeje”/ Ndryshon ligji: Turistët do të paguajnë për çdo natë qëndrimi
Shqipëria përjetoi një “bum” në sektorin e turizmit gjatë verës që lamë pas, duke tërhequr turistë nga e gjithë bota.
Kjo ka bërë që Qeveria të nisë ndryshime për ligjin e turizmit duke u konsultuar me bizneset e këtij sektori. Ky sezon turistik dëshmoi rritjen e numrit të rezervimeve përmes platformave Booking apo Airbnb. Ndryshimet në ligj synojnë bërjen të mundur të mbledhjes së taksës së fjetjes, e cila u kalon bashkive, edhe kur një turist rezervon përmes këtyre platformave. Kjo taksë aplikohet nga shumë vende në Evropë, siç janë dhe Greqia dhe Italia.
“Edhe këtu jemi duke parë një sistem reformimi për ta formalizuar për ta bërë më transparent, për ta dixhitalizuar që të jetë i kontrollueshëm qoftë nga policia e shtetit për arsye sigurie qoftë nga njësitë e qeverisjes vendore për të vjelë këtë taksë. Qoftë edhe për tatimet për të qenë të gjithë të koordinuar”– tha Kumbaro ditën e sotme, pas mbledhjes së qeverisë.
Sipas INSTAT për periudhën Janar-Shtator 2023 vendi ynë u vizituar nga 8.3 milion shtetas të huaj.