Shqiptari “HERO” në Greqi, shpëtoi nga mbytja 71-vjeçaren që ra nga anija
Ndërhyrja e 44-vjeçarit shqiptar, Mariglen Hoxha, ishte vendimtare në shpëtimin e jetës së një gruaje 71-vjeçare, e cila në orët e para të së dielës ra aksidentalisht në portin e Mytilinit gjatë momentit që po hipte në traget.
Pa hezituar për asnjë çast, 44-vjeçari u hodh në det për ta shpëtuar dhe qëndroi me të për rreth 20 minuta në ujë, derisa arritën t’i ndihmonin. “Marios” – siç e thërrasin në Mytilini, ku jeton dhe punon prej vitesh me familjen e tij – përshkruan minutat kritike kur pa gruan të binte në ujë dhe përpjekjet që bëri për ta mbajtur atë mbi ujë, ndërsa ajo ishte e frikësuar dhe e ngrirë nga të ftohtit. “Kur dolëm jashtë, ajo u ul në një karrige dhe unë kam në mendje imazhin e mënyrës se si më shikonte, ashtu siç e shikon një fëmijë,” thotë ai.
Në një intervistë për Aeolus, Hoxha shpreh dëshirën të dijë për gjendjen e gruas, pasi nuk ka asnjë informacion mbi të. “Le të jetë mirë gruaja, kjo është gjithçka që dua,” thotë ai. “Nuk e di si e gjeta forcën dhe u hodha pa menduar në port sapo e pashë gruan duke pirë ujë dhe duke u përpjekur të qëndronte mbi ujë. I thosha ‘Gjyshja, jam këtu, mos ki frikë’, dhe ajo më thoshte ‘Kam ftohtë’,” përshkruan 44-vjeçari.
Hoxha kishte shkuar në port për të shoqëruar motrën e tij, e cila po udhëtonte me fëmijën e saj, kur ndodhi incidenti. Ai tani konsiderohet një hero lokal për aktin e tij të guximshëm dhe shpëtimin e jetës së gruas së moshuar.