Sindikata e Sektorit të Hidrokarbureve reagon pas arrestimit të CEO-s së “Bankers Petroleum”: Kërkojmë transparencë dhe mbrojtje të vendeve të punës

Pas operacionit hetimor në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, që çoi në arrestimin e CEO-s Hong Ping Xiao dhe disa zyrtarëve të tjerë, ka reaguar Sindikata e Sektorit të Hidrokarbureve.
Kreu i sindikatës, Dritan Shahu, deklaroi se organizata sindikale po ndjek me vëmendje të plotë zhvillimet dhe është e angazhuar për të monitoruar ndikimin që mund të kenë këto ngjarje mbi punonjësit dhe ecurinë e kompanisë.
“Sindikata do të vijojë të mbrojë interesat dhe sigurinë e çdo punonjësi. Kërkojmë transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse dhe drejtuesit e kompanisë për të garantuar një proces të drejtë,” u shpreh Shahu në një deklaratë për mediat.
Ai vuri në dukje gjithashtu se ekziston një pabarazi e theksuar në nivel pagese midis punonjësve të terrenit dhe atyre të administratës, dhe se po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një shpërblim të drejtë për të gjithë.
“Ne jemi të vendosur të garantojmë çdo angazhim financiar dhe kontraktual ndaj punonjësve. U bëjmë thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare,” theksoi kreu i sindikatës.
Sindikata i ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me transparencë dhe drejtësi, ndërsa nënvizon se mbrojtja e të drejtave të punonjësve mbetet prioritet.




