SKANDAL NË BURGUN E FIERIT/ ZHDUKET CELULARI I SEKUESTRUAR, PEZULLOHEN 4 PUNONJËS

Një celular i gjetur dhe sekuestruar në një prej qelive të IEVP Fier është zhdukur gjatë veprimeve procedurale, duke çuar në një hetim të përbashkët mes Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Prokurorisë së Fierit.
Ngjarja është regjistruar më 24 qershor 2026, kur gjatë një kontrolli në dhomën ku vuante dënimin shtetasi Klevis Caka, punonjësit e burgut kanë gjetur një aparat të dyshuar celular. Sipas njoftimit zyrtar, Caka ka pranuar se telefoni ishte në përdorim të tij.
Por gjatë veprimeve të mëtejshme procedurale, hetuesit kanë konstatuar se prova materiale, konkretisht telefoni celular i gjetur në qeli, nuk ndodhej më aty ku ishte administruar.
Zhdukja e provës ka bërë që hetimi të zgjerohet edhe ndaj punonjësve të IEVP Fier, për të përcaktuar se si dhe në çfarë rrethanash telefoni ka humbur nga administrimi procedural.
Në vijim të hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për dy të paraburgosur, Klevis Caka dhe B.P.
Ndërkohë, masa sigurie janë caktuar edhe ndaj katër punonjësve të IEVP Fier, me inicialet M.B., E.H., S.H. dhe J.M.
Për katër punonjësit është vendosur “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditura rrethanat konkrete se si telefoni i sekuestruar është larguar nga administrimi i burgut dhe nëse zhdukja e tij lidhet me veprime të qëllimshme.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.




