SKANDAL/ Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” denoncon bllokimin në kufi: “Me shkresë të Fidel Yllit po pengohen sportistët shqiptarë”

Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë po trondit komunitetin sportiv në Shqipëri. Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003”, e regjistruar ligjërisht si organizatë jofitimprurëse dhe me aktivitet të njohur ndërkombëtarisht në sportin e pëllumbave garues, ka denoncuar publikisht bllokimin e sportistëve të saj në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Sipas reagimit zyrtar të shoqatës, më datë 4 maj 2026, mjeti i tyre tip “IVECO FIAT” me targa AA 158 ZL është ndaluar nga autoritetet doganore shqiptare pa asnjë shpjegim zyrtar dhe pa një akt administrativ të shkruar.
Shoqata pretendon se pas këtij veprimi qëndron një shkresë e dërguar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ku sipas tyre kërkohet ndalimi i kalimit të kësaj shoqate sportive në kufi.
“Pëllumbat e Postës 2003” numëron rreth 170 anëtarë dhe prej vitesh merr pjesë në aktivitete sportive ndërkombëtare në Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia, duke kaluar rregullisht në pikat kufitare shqiptare me dokumentacion të rregullt sipas ligjit dhe Kodit Doganor.
Në reagimin e saj, shoqata ngre një sërë pyetjesh publike ndaj institucioneve:
“Me çfarë tagri një president komiteti olimpik kërkon ndalimin e qytetarëve shqiptarë në kufi? Në cilin ligj mbështetet kjo kërkesë? Dhe pse autoritetet doganore nuk kanë paraqitur asnjë bazë ligjore për ndalimin e sportistëve?”, thuhet në deklaratë.
Shoqata thekson se aktiviteti i saj është sportiv dhe kulturor, jo tregtar, ndërsa pëllumbat transportohen me dokumentacion të rregullt veterinar dhe të vaksinuar sipas standardeve përkatëse.
Në qendër të akuzave përmenden edhe emrat e Ramazan Gjylës dhe Gazmir Fehimit, të cilët sipas shoqatës përfaqësojnë një grup interesi që synon të monopolizojë aktivitetin e sportit të pëllumbave në Shqipëri.
Akuza janë ngritur edhe ndaj drejtorit të doganës, Besmir Beja, për faktin se sipas shoqatës është lejuar një bllokim i tillë pa vendim gjykate dhe pa asnjë akt administrativ të argumentuar ligjërisht.
“Pëllumbat e Postës 2003” e cilëson rastin si një precedent të rrezikshëm për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe kërkon reagim nga institucionet shtetërore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar apo nga autoritetet doganore lidhur me akuzat e ngritura nga shoqata sportive.







