Skandali/ Hakerat publikojnë të dhëna të tjera të kompanisë “One Albania”
Kompania “One Albania” ra pre e një sulmi kibernetik më 25 dhjetor, duke cënuar të dhlnat e 1.2 milionë abonentëve të saj. Sulmi kibernetik u mor përsipër nga grupi i ashtuquajtur “Homeland Justice”, teksa gjeti të pambrojtur kompaninë celulare dhe futi në kolaps të gjitha sistemet e saj.
Por edhe pse shërbimet nuk funksiononin dhe sistemet ranë, kompania “One Albania” vazhdoi propagandën duke u mundur të përgënjeshtrojë sulmin dhe mosfunksionimin e sistemit duke thënë se nuk janë ndikuar nga ky incident.
Gjatë kësaj periudhe, hakerat “Homeland Justice” kanë publikuar vazhdimisht dokumente të brendshme të kompanisë telefonike “One Albania” në kanalin e tyre në Telegram, teksa të njëjtën gjë kanë bërë edhe ditën e sotme.
Grupi “Homeland Justice” ka publikuar një dokument me të dhënat e punonjësve në dyqanet e kompanisë “One Albania”.
“Ende i besoni gënjeshtarët? Mbështetja për terroristët është e turpshme. Edhe më keq është të gënjesh njerëzit e tu. A mendon se ata që dashurojnë MEK-un mund të mbrojnë “asetet” e njerëzve në të njëjtën mënyrë që mbrojnë të dhënat?”, thuhet në mesazhin e grupit në “Telegram”, krahas dokumentit.
Publikimi i të dhënave të punonjësve mund të jetë një paralajmërim, për publikimin e të dhënave të klientëve.
Vlen të theksohet fakti se kompania “One Albania” ka një shërbim skandaloz ndaj klientëve të saj, ku pothuajse çdo ditë ka denoncime për zhvatje “padrejtësisht” të qytetarëve.
Jo vetëm kaq, por në 24 Gusht të vitit të kaluar, abonentët e kompanisë së telefonisë celulare, “One”, u gjendën pa pritur dhe pa asnjë paralajmërim në mungesë totale të shërbimit.
Ky ishte momenti më kulminant i një sjelljeje aspak rigoroze dhe normale të kompanisë me klientët e saj, pas një serie të mëparshme të ndërprerjes së sinjalit për minuta, madje edhe për orë të tëra. Klientët nuk arritën të merrnin asnjë përgjigje serioze nga kompania “One” për këtë ndërprerje të plota të sinjalit.
Në 24 Tetor 2023, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi të gjobisë shoqërinë ‘One” shpk me 10 milionë lekë të reja, për shkelje të disa detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për komunikimet elektronike dhe postare”. Një nga pikat që penalizoi shoqërinë ishte pikërisht mungesa e shërbimit të plotë, më saktësisht ndërprerja pa asnjë njoftim e sinjalit për abonentët.
Gjithashtu, një ndër shkeljet ishte dhe ndërprerja pa paralajmërim e shërbimit celular ndaj klientëve që vonojnë kryerjen e pagesës mujore ndaj kompanisë së telefonisë së lëvizsshme./ BoldNews