Skema Kombëtare 2026, rriten aplikimet e fermerëve – Fieri kryeson në vend

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026 ka shënuar një interes të lartë nga fermerët në të gjithë vendin, me 42,728 aplikime të regjistruara dhe një vlerë totale kërkesash prej 7.2 miliardë lekësh.
Kjo shifër tejkalon fondin fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, ndërsa ulja e pragut minimal të financimit ka bërë që masat mbështetëse të jenë më të aksesueshme për fermerët.
Sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), rritja e aplikimeve krahasuar me vitin 2025 është veçanërisht e ndjeshme në blegtori dhe bletari:
- +52.1% për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit;
- +27.6% për tufën bazë të matrikulluar të të imtave;
- +62.3% për mbarështimin e bletarisë.
AZHBR e lidh këtë rritje me interesin në rritje të fermerëve dhe lehtësimin e kritereve të përfitimit në kuadër të Skemës Kombëtare 2026.
Fieri, qarku me më shumë aplikues
Qarku i Fierit renditet i pari në vend për numrin e fermerëve aplikues, duke u pozicionuar përpara Korçës, Elbasanit dhe Vlorës.
Këto qarqe vijojnë të mbajnë një peshë të rëndësishme në prodhimin bujqësor shqiptar.
Skema e këtij viti përfshin 12 masa mbështetëse, prej të cilave 9 janë masa direkte dhe 3 masa investimesh. Ndër masat kryesore janë mbështetja për tufat bazë të gjedhit dhe të imtave, bletarinë, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., fermerët e rinj, rikonstruksionin e staneve dhe mekanizimin e bujqësisë.
Numrin më të lartë të aplikimeve e ka regjistruar masa për tufën bazë të të imtave, me 7,236 aplikime, e ndjekur nga bletaria dhe tufa bazë e gjedhit.
Kujdes me afatet e dokumentacionit
AZHBR ka rikujtuar gjithashtu përfituesit për respektimin e afateve ligjore. Për masat 1 deri në 4, afati përfundoi më 10 gusht, ndërsa për masat 5 deri në 7 dhe masën 9, afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit shtesë ishte 13 gusht 2026.
Sipas AZHBR-së, dokumentacioni i dorëzuar pas përfundimit të afatit nuk merret në shqyrtim dhe aplikantët që nuk përmbushin kushtet në kohë rrezikojnë skualifikimin.
8.3 milionë euro kompensim për fermerët
Paralelisht me Skemën Kombëtare, një tjetër instrument financiar po mbështet fermerët përmes skemës së kompensimit prej 10% të faturave të shitjes së produkteve bujqësore.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia për Media dhe Informim, nga 1 korriku deri më 10 gusht janë regjistruar 3,366 aplikime online përmes portalit eFiling.
Prej tyre, 1,120 aplikime janë miratuar, ndërsa 2,138 janë në proces shqyrtimi. Në total, rreth 8.3 milionë euro pritet t’u kthehen fermerëve përmes kësaj skeme.
Nisma është shoqëruar edhe me rritje të formalizimit të tregut:
- +25% rritje e numrit të blerësve me TVSH që blejnë nga fermerët;
- +24% rritje e numrit të fermerëve që shesin te blerësit me TVSH;
- +19% rritje e vlerës së përgjithshme të transaksioneve.
Të dhënat tregojnë një rritje të pjesëmarrjes së fermerëve në skemat e mbështetjes dhe një tendencë drejt formalizimit më të madh të aktivitetit bujqësor në vend.




