Skena apokaliptike në tunel, mbi 80 mjete të përfshira në aksident

Një aksident i përmasave të mëdha është regjistruar në Itali, ku rreth 80 automjete janë përfshirë në një përplasje zinxhir brenda tunelit Villafranca, në autostradën Messina–Palermo.
Ngjarja ka krijuar një situatë kaotike, pasi në aksident janë përfshirë makina, furgonë dhe mjete të rënda, duke bllokuar plotësisht qarkullimin në këtë aks rrugor të rëndësishëm.
Autoritetet bëjnë me dije se trafiku në zonë është pezulluar për të mundësuar ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve emergjente dhe evakuimin e personave të lënduar.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit nga zona e Ngushtica e Mesinës, të cilët po punojnë me disa njësi për nxjerrjen e automjeteve të dëmtuara dhe sigurimin e zonës, veçanërisht për shkak të rrezikut nga rezervuarët e karburantit.
Ndërkohë, forcat e policisë janë angazhuar për menaxhimin e trafikut dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Autoritetet vijojnë punën për normalizimin e situatës dhe për të dhënë informacione më të detajuara mbi këtë ngjarje të rëndë, ndërsa prioritet mbetet ndihma për të lënduarit dhe rikthimi i sigurisë në zonë.




