Skender Hita: 167 të arrestuar dhe 388 të proceduar penalisht gjatë protestave, 132 efektivë policie të dëmtuar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit: 7 punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, në një konferencë për mediat, ka dhënë detaje mbi situatën e krijuar gjatë pesë ditëve të protestave, duke bërë të ditur se 167 persona janë arrestuar dhe 388 të tjerë janë proceduar penalisht.
Sipas Hitës, gjatë tubimeve janë regjistruar akte dhune ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve publike, si dhe dëmtime të pronës publike e private. Ai deklaroi se veprimet hetimore vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në këto akte.
132 punonjës policie të dëmtuar
Kreu i Policisë së Shtetit bëri me dije se si pasojë e dhunës, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë, janë dëmtuar 132 punonjës policie. Disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital.
Sipas tij, efektivët janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera.
Pezullohen 7 efektivë policie
Gjatë konferencës, Skender Hita njoftoi gjithashtu se 7 punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor, për dyshime lidhur me tejkalimin e detyrës, mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi.
Ai theksoi se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe se çdo rast i evidentuar i shkeljes së ligjit do të trajtohet sipas procedurave përkatëse.
Thirrje për ndalimin e dhunës
Hita u shpreh se në rrjetet sociale, veçanërisht në grupe të hapura së fundmi në Telegram, janë evidentuar thirrje për sulme ndaj punonjësve të Policisë dhe për djegien e automjeteve policore. Sipas tij, strukturat përkatëse po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.
Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga dhuna dhe qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim paqësor.
Ai iu drejtua gjithashtu prindërve dhe familjarëve që të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në protesta ku ekziston rreziku i përshkallëzimit të dhunës.
“Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe e pronës dhe zbatimi i ligjit mbeten detyrimet tona të panegociueshme”, theksoi Skender Hita.




