Skënder Hita firmos urdhrin e parë: Hiqen postblloqet rutinë të Policisë Rrugore nga akset nacionale

Një nga vendimet e para të firmosura nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhet me riorganizimin e punës së Policisë Rrugore dhe ndryshimin e mënyrës së kontrollit në rrugë.
Përmes një telegrami të shpërndarë në të gjitha drejtoritë vendore të policisë, Hita ka urdhëruar heqjen e shërbimeve të dukshme të Policisë Rrugore nga akset nacionale dhe zona të tjera, duke argumentuar se shumë drejtues mjetesh kanë shprehur shqetësime për ndalimet rutinë pa bazë të qartë ligjore, si dhe për vonesat e panevojshme gjatë udhëtimit.
Në urdhër theksohet se prej datës 10 prill duhet të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve me motivacionin “për verifikim”.
Sipas udhëzimeve të reja, shkeljet e qarkullimit rrugor do të evidentohen kryesisht përmes teknologjisë, si radarët e shpejtësisë në mënyrë automatike dhe përdorimi i dronëve për monitorim.
Ndërsa në rastet kur situata kërkon kontrolle fizike në terren, telegrami parashikon hartimin e planeve të qarta të masave për pikat e kontrollit, ku në krye të shërbimeve duhet të jenë shefat e sektorëve apo seksioneve të Policisë Rrugore.




