Skënder Hita: “Mos e shkëmbeni uniformën me një përfitim të momentit”, 389 kursantë i bashkohen Policisë së Shtetit

Tiranë | 389 kursantë që përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë janë certifikuar dhe do t’i bashkohen Policisë së Shtetit, duke nisur shërbimin në terren në funksion të sigurisë dhe qytetarëve.
Gjatë ceremonisë së certifikimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, u përcolli të sapocertifikuarve një mesazh të fortë për përgjegjësinë që mbart uniforma e Policisë dhe për standardet që duhet të udhëheqin punën e tyre.
Hita theksoi se çdo punonjës policie duhet të ketë si “busull” tri drejtime: ligjin, shërbimin ndaj qytetarëve dhe amanetin e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut.
“Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije, ndoshta dhe në errësirë”, u shpreh Hita.

Drejtori i Përgjithshëm u kërkoi efektivëve të rinj që të tregojnë përulësi ndaj qytetarëve, ndërsa ndaj personave që shkelin ligjin të veprojnë me forcën dhe autoritetin që u jep ligji.
Ai veçoi gjithashtu rëndësinë e reagimit me guxim, korrektësi dhe paanshmëri, duke respektuar në çdo rast procedurat dhe kornizën ligjore.
“Arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj”
Një nga mesazhet më të forta të fjalimit ishte ai kundër sjelljes arrogante në uniformë.

“Mos harroni se arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj. Përballë çdo situate qofshi, kurrë mos u tregoni arrogantë me qytetarët që duan dhe zbatojnë ligjin”, deklaroi Hita.
Sipas tij, detyra e Policisë është të dëgjojë qytetarët, të zbatojë procedurat dhe t’u japë përgjigjen që kërkon ligji, duke shmangur çdo sjellje që mund të krijojë perceptimin e një policie të njëanshme, arrogante apo të paaftë.
Hita nënvizoi se besimi i qytetarëve është thelbësor për përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.
Paralajmërimi: “Mos u tundoni nga ofertat e krimit”

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë iu drejtua edhe një prej sfidave më të mëdha me të cilat mund të përballen efektivët gjatë karrierës: tentativave për t’i joshur apo përfshirë në bashkëpunim me grupet kriminale.
“Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim”, tha ai.
Hita u kërkoi efektivëve të rinj të mos shkëmbejnë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin dhe të ardhmen e tyre me një përfitim të momentit.

“Puna e ndershme ju çon drejt karrierës”
Duke i uruar për përfundimin e trajnimit, Hita u kërkoi 389 punonjësve të rinj të punojnë me përgjegjshmëri, të respektojnë kolegët dhe të besojnë te puna në grup.
Ai u tha se karriera në Policinë e Shtetit duhet të ndërtohet përmes punës së ndershme, përkushtimit dhe respektimit të ligjit.

Në përfundim të fjalës së tij, Hita i mirëpriti kursantët e rinj në “familjen e madhe” të Policisë së Shtetit dhe u bëri të ditur se dera e tij do të jetë e hapur për shqetësimet që lidhen me përmirësimin e punës apo problemet e tyre.
“Mbajeni me dinjitet këtë uniformë të shenjtë të sigurisë dhe shërbimit ndaj Republikës dhe qytetarëve. Shërbeni me përkushtim, veproni në bazë të ligjit dhe qëndroni pranë qytetarëve”, ishte mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm për efektivët e rinj.




