SPAK përfundon hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë: Asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës
TIRANË- SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen e laboratorit të kokainës që u zbulua në vitin 2015 në Xibrakë dhe në një reagim për Report Tv thotë se nuk është gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit. Hetimet mbi këtë dosje rifilluan pasi deputeti demokrat Gazment Bardhi kërkoi nga SPAK verifikim për përfshirjen sipas tij të Olsi Ramës te dosja ‘Xibraka’.
SPAK thotë për gazetaren Keti Banushi, se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin Olsi Ramën me këtë aktivitet kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa persona. Madje, Prokuroria e Posaçme sqaron se në kuadër të hetimeve mbi këtë çështje kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente të Kosovës dhe ka rezultuar se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm që mund të kishin qenë të implikuar në këtë çështje.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.
Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.
Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.
Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve”, thuhet në reagimin e SPAK për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi.
Olsi Rama është paraqitur dy herë në SPAK si person në dijeni, ndërsa kjo çështje solli përplasje të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe Gazment Bardhit. Kreu i qeverisë e quajti Bardhin disa herë gënjeshtar, ndërsa tha se SPAK duhet ta ndante këtë çështje, ku ose vëllai i tij duhej të dënohej si trafikant, ose Bardhi duhet të dënohej si shpifës. Vetë Olsi Rama ka depozituar dy padi në SPAK, ku e akuzon Bardhin për kallëzim të rremë.