Subashi pret ambasadorin turk, në fokus investimet dhe bashkëpunimi për Fierin

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, z. Barış Ceyhun Erciyes, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë bashkëpunimi mes palëve dhe mundësitë për investime të reja në Fier.

Gjatë takimit, Subashi ka shprehur mirënjohjen për investimin dhe mbështetjen e Qeverisë Turke në ndërtimin e Spitalit Memorial, duke e cilësuar atë si një dhuratë me vlerë të madhe për qytetin dhe qytetarët.

Sipas tij, Spitali Memorial ka dëshmuar ndër vite se është një model suksesi, jo vetëm për shërbimet shëndetësore të ofruara dhe shpëtimin e shumë jetëve, por edhe për mënyrën e menaxhimit dhe vetadministrimit të institucionit.

Në vijim të bisedës, palët diskutuan edhe mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e investimeve të kompanive turke në Bashkinë e Fierit, me synimin për të sjellë më shumë zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për qytetarët.





