Sulmohet me leva dhe grushta në “Ish-Bllok” avokati i Sali Berishës, Sokol Mëngjesi përfundon në spital
Goditet me grushte dhe leva avokati i ish-kryeministrit Sali Berishës, Sokol Mëngjesi.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, ndërkohë që policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët të cilët dyshohet se janë tre persona.
Edhe pse nuk dihen arsyeja e saktë e këtij sulmi të rëndë, dyshohet se dhuna ndaj avokatit ka pasur shkak konfliktin për arsye pronësie.
Autorët, të cilët mendohet se ishin tre, ende nuk janë identifikuar dhe po ashtu mësohet se i kanë zënë pritë Mëngjesit pranë një kopshti, ku ai kishte dërguar të bijën dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup.
Lidhur me ngjarja ka reaguar edhe Policia e Shtetit, ndërsa mësohet ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Njoftim paraprak i Policisë së Shtetit
Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.