Të dhënat: 857 mijë shqiptarë përdorën roaming në vendet e Rajonit vitin e kaluar

Numri i shqiptarëve që përdorën shërbimin roaming në vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor arriti një rekord të ri vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), rreth 857 mijë shqiptarë përdorën shërbimet roaming në Ballkanin Perëndimor, me një rritje prej 5% krahasuar me një vit më parë.
Volumi i internetit të përdorur në roaming e ka kaluar shifrën prej 1.2 milionë GB (gigabyte) internet, me një rritje prej 38% krahasuar me vitin 2023. Procesi i uljes së tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor nisi në mesin e vitit 2019, me uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen e plotë të tyre, duke filluar nga 1 korriku 2021.
Heqja e tarifave roaming synonte lehtësimin e komunikimit në lëvizjet e punës dhe turizmit të shtetasve brenda rajonit. Procesi u mundësua falë një marrëveshjeje rajonale të nënshkruar nga vendet e rajonit në vitin 2019, me ndërmjetësimin e komisioneres së Bashkimit Europian për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale.
Të dhënat e INSTAT treguan se shqiptarët regjistruan afërsisht 7.9 milionë dalje nga territori i vendit vitin e kaluar, me një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sipas një modeli të ngjashëm, në tetor 2023 hyri në fuqi marrëveshja mes 38 operatorëve telefonikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që do të mundësojë një ulje të ndjeshme të tarifave të internetit në roaming.
Marrëveshja u mundëson përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.
Konkretisht, operatorët ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023; 14 euro/GB duke filluar nga viti 2026 dhe 9 euro/GB duke filluar nga viti 2028. Nisma për uljen e çmimit të internetit në roaming filloi me nënshkrimin e Deklaratës së Roaming-ut në Samitin Dixhital të Ballkanit Perëndimor në Tiranë në vitin 2022 dhe është mbështetur nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi i saj është të zvogëlojë hendekun midis shërbimeve roaming dhe çmimeve të brendshme midis vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të forcuar lidhjet midis dy rajoneve, duke inkurajuar dhe thjeshtuar biznesin, shkëmbimet kulturore, turistike, etj. Deri tani, AKEP nuk mundëson statistika lidhur me përdorimin e shërbimit roaming nga shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian./E.Shehu