“Të garantojmë pushime të qeta dhe të sigurta për çdo pushues”, Balla në reagimin e parë si Ministër i Brendshëm
Taulant Balla, pas dekretimit të sotëm si Ministër i Brendshëm ka reaguar duke përshëndetur operacionin e zhvilluar sot nga Njësia e Policisë Detare, ku u bllokuan 20 mjete lundruese, të cilat ishin pa dokumentacion përkatës, madje disa prej tyre cënonin perimetrin ujor të sigurisë për pushuesit.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Balla deklaron se siguria e pushuesve është prioritet, ndaj do të vijojë puna çdo ditë për verifikimin e mjeteve lundruese në të gjithë hapësirën ujore të vendit.
“Përgëzime Njësisë Policore Detare Duhet të garantojmë pushime të qeta dhe të sigurta për çdo pushues“, shkroi Balla në Facebook.
Ditën e sotme pas betimit në Presidencë, Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, ka hyrë për herë të parë në ambientet e këtij institucioni, i pritur nga ish-ministri Çuçi, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, titullarët e institucioneve të varësisë e drejtues të tjerë.
Taulant Balla në fjalën e tij të parë si Ministër i Brendshëm, falënderoi Çuçin për punën e bërë dhe shprehu se në fillim të javës së ardhshme do të bëjë të njohura për stafin dhe publikun, prioritetet që ai ka vendosur në detyrën e sapomarrë.