Të jetosh me mbetjet e naftës! Situatë shqetësuese në Kallm të Fierit, banorët: Vuajmë prej 30 vitesh
Për më shumë se 30 vjet banorët e Kallmit në Fierit bashkëjetojnë me erën e rëndë të hidrokarbureve që ndodhen në sipërfaqe të mëdha, vetëm 70-80 metra larg banesave të tyre.
Dhjetëra gropa të mbushura me naftë bruto janë lënë në harresë nga kompanitë që kanë shfrytëzuar këtë fushë naftëmbajtëse. Me fillimin e rritjes së temperaturave, këto gropa kthehen në një makth për banorët e fshatit.
“Këto mbetje janë këtu prej 30 vitesh dhe përbëjnë një rrezik shumë të madh për ne dhe fëmijët tanë,”tha një prej banorëve.
“Të gjithë këtu janë me karbon në gjak dhe me astmë. Me rritjen e temperaturave, nafta fillon të shkrijë dhe disa herë bagëtitë kanë ngecur në gropat me hidrokarbure”, tha një tjetër.
Duke parë që askush nga instancat shtetërore nuk ka reaguar pas ankesave të tyre, banorët kanë humbur besimin dhe thonë se as nuk presin më që të largohen këto gropa me mbetje të naftës bruto. Të lodhur nga kjo situatë, ata shprehen jashtë kamerave se zgjidhja e vetme ka ngelur t’i djegin ato.
Pavarësisht rrezikut të madh për shëndetin dhe mjedisin, autoritetet duket se kanë dështuar në zgjidhjen e këtij problemi, duke i lënë banorët e Kallmit të Fierit të përballen të vetëm me pasojat e ndotjes së naftës.
TOP CHANNEL