Të shtënat me armë ndaj banesës së Skënder Likës, policia: Kemi identifikuar makinën e autorëve, janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore
Policia e Kurbinit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me të shtënat me armë në drejtim të banesës së Skënder Likës në fshatin Sanxhak. Policia njofton se nuk ka pasur dëme materiale ndërsa kanë identifikuar makinën me të cilën u larguan autorët. Këta të fundit nuk janë identifikuar nga policia e Kurbinit.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore, për bllokimin e automjetit, tashmë të identifikuar nga Policia, me të cilin janë larguar autorët.
Dyshohet se ngjarja ka të bëjë me disa krime të ndodhura vitet e fundit në zonën e Kurbinit.
Kjo pasi Skënder Lika, është babai i autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Rolit. Ndërkohë nipi i tij, Ilir Lika ekzekutoi me armë zjarri në një hotel në Mamurras dy biznesmenët, Paulin Gjergji dhe Bujar Lika.
Kurbin/Informacion paraprak
Në Sanxhak, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit S. L. dhe më pas janë larguar me një automjet. Nga të shtënat ka vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, si dhe vijojnë hetimet dhe krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore, për bllokimin e automjetit, tashmë të identifikuar nga Policia, me të cilin janë larguar autorët.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.