TEC-i i Roskovecit: Punimet vazhdojnë, shqetësimet mjedisore dhe ligjore nuk ndalen
Prej 11 ditësh, makineritë kanë hyrë në terren në Roskovec dhe punimet për ndërtimin e termocentralit me gaz kanë nisur. Por ndërsa fadromat punojnë, jashtë kantierit vijon një betejë ligjore dhe mjedisore. Organizatat ambientaliste thonë se projekti po ecën përpara edhe pse leja mjedisore, sipas tyre, ka skaduar dhe çështja është dërguar në gjykatë dhe pranë Komunitetit të Energjisë.
TEC-i i planifikuar do të ketë kapacitet 170 megavatësh dhe furnizimi me gaz natyror do të bëhet nga gazsjellësi TAP. Impianti privat do të operojë për 49 vite dhe pritet të hyjë në funksion brenda tre viteve të ardhshme. Sipas projektit, kompania “Fier Thermoelectric” do t’i japë shtetit vetëm 2% të prodhimit vjetor të energjisë ose vlerën e tij në para.
Struktura e aksionerëve tregon se 70% e projektit është në pronësi të kompanisë greke GEK TERNA dhe 30% të kompanisë shqiptare “Gener 2”. Furnizimi me gaz do të bëhet përmes një marrëveshjeje me Korporatën Publike të Gazit të Greqisë, në pikën e ndërlidhjes së TAP në Roskovec.
Ekspertët paralajmërojnë se shifrat e ndotjes mund të jenë më të larta se sa janë raportuar në dokumentet zyrtare. Emetimet e dioksidit të karbonit mund të arrijnë deri në 595 mijë tonë CO₂ në vit në rast funksionimi të plotë, një nivel që sipas aktivistëve është minimizuar në dokumentacion për të kaluar më lehtë filtrat e miratimit.
TEC-i mund të kërkojë gjithashtu më shumë ujë sesa është deklaruar, duke ushtruar presion mbi burimet lokale dhe lumin Gjanica. Temperaturat e ujërave të shkarkuara mund të tejkalojnë kufijtë e lejuar, duke rrezikuar ekosistemin e zonës.
Banorët e Roskovecit thonë se nuk janë pyetur realisht për projektin dhe deri tani kanë organizuar pesë protesta kundër TEC-it. Me nisjen e punimeve, frika dhe presioni e bëjnë më të vështirë organizimin e protestave të ardhshme.
Organizatave të shoqërisë civile u bie në sy mungesa e transparencës dhe mospërputhjet me disa vendime të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, qeveria e konsideron TEC-in e Roskovecit një projekt strategjik për sigurinë energjetike të vendit.
Ambientalistët paralajmërojnë për ndotje, shkelje ligjore dhe një projekt që mund të ndikojë për dekada mbi mjedisin dhe komunitetin. Në Roskovec, makineritë punojnë, por beteja për TEC-in vazhdon.




