Tensione në veri të Kosovës, KFOR largon protestuesit! Serbët sulmojnë edhe gazetarët
Ushtarët e KFOR-it kanë ndërhyrë në Zveçan, duke shpërndarë protestuesit serbë, me përdorimin e gaz-lotsjellës dhe molotovë. Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes thuhet se ka pasur të shtëna me armë, janë hedhur granata nga serbët, ndërsa policia ka tentuar të shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.
Pas këtij reagimi protestuesit kanë gjuajtur sende të forta në drejtim të ushtarëve, por sipas KosovaPress ka të lënduar dhe është djegur edhe një automjet. Qytetarët serbë kanë përshkallëzuar protestën në Zveçan gjatë pasdites, duke rrezikuar forcat policore dhe ekipet e medias që po raportojnë nga vendngjarja.
Më herët, forcat speciale, paralajmëruan turmën të largohej, por pas refuzimit, vendosi të ndërhyjë. “Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë“, ka paralajmëruar KFOR-i përmes megafonëve.
Aktualisht, protestat e serbëve që refuzojnë të qeverisën nga kryetarët shqiptarë që u zgjodhën në zgjedhjet e jashtëzakonshme, vazhdojnë në Zveçan dhe Leposaviç. Më e qetë paraqitet situata në Zubin Potok, kur turma u shpërnda. Në tre komunat e veriut, u bë betimi i kryetarëve të rinj në 25 maj.
Një ditë më pas, me ndihmën e policisë, ata u përpoqën të hyjnë në institucion për të nisur punën, por u ndeshën me kundërshtimin e ashpër të serbëve. Këta të fundit janë mbledhur në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, ndërsa nuk kanë munguar përplasjet me policinë.