Tensione para Kuvendit, protestuesit presin deputetët me vezë dhe thirrje: “Turp!” e “Opozitë e shitur!”
Tensione janë regjistruar mëngjesin e kësaj të marte para godinës së Kuvendit, ku një grup protestuesish kanë pritur deputetët që mbërrinin për seancën plenare me thirrje dhe veprime simbolike kundërshtuese.
Gjatë hyrjes së deputetëve në ambientet e Kuvendit, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të tyre, ndërsa kanë brohoritur vazhdimisht: “Turp!”, “Largohuni!”, “Jepni dorëheqjen!” dhe “Opozitë e shitur!”.
Me këto thirrje, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre jo vetëm ndaj qeverisë, duke kërkuar largimin e saj, por edhe ndaj opozitës, të cilën e akuzojnë se nuk po përmbush rolin e saj si forcë kontrolluese e pushtetit.
Në hyrje të Kuvendit ishte vendosur një prani e shtuar e forcave të policisë, të cilat monitoruan situatën dhe garantuan hyrjen e deputetëve në sallën e seancës.
Deri në këto momente nuk raportohen incidente të rënda apo persona të lënduar, ndërsa situata mbetet nën kontroll.




