Tentativë grabitjeje – Futbollisti i Flamurtarit, Sodiq Atanda, plagoset me thikë në Vlorë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku futbollisti 31-vjeçar i Flamurtarit, Sodiq Atanda, është plagosur me thikë gjatë një tentative grabitjeje.
Sportisti, i cili ka shtetësi të huaj, ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve në spitalin e qytetit. Sipas burimeve paraprake, ai është sulmuar gjatë ecjes në rrugë nga persona ende të paidentifikuar.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për kapjen e autorëve. Ndërkohë, Atanda po merret në pyetje në ambientet e spitalit për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga klubi i Flamurtarit lidhur me incidentin.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Kali i Trojës”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka mbetur i dëmtuar lehtë në dorë, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasi S. A., 31 vjeç, me origjinë nigeriane. Pas marrjes së mjekimit në spital, 31-vjeçari është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzimin për rastin.
Falë veprimeve të shpejta të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. B., 21 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij, i cili paraprakisht dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.