AKTUALITETKRONIKË
Tentoi të Dilte nga Shqipëria me 19 150 Euro të Padeklaruara, Procedohet Penalisht 38-Vjeçari nga Fieri
Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, Policia Kufitare ka parandaluar një përpjekje për kalimin e paligjshëm të një shume të madhe parash. Gjatë një kontrolli rutinë, në çantën e shtetasit I. M., 38 vjeç, me origjinë nga Fieri dhe banues në Greqi, u zbuluan 19 150 euro, të cilat nuk ishin deklaruar sipas ligjit.
Autoritetet kanë nisur procedimin penal ndaj I. M. për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.