Tentuan të kalonin 331 mijë euro të padeklaruara, arrestohet 36-vjeçari në Muriqan, procedohet në gjendje të lirë një tjetër
Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë për mos deklarim të parave.
Pas informacioneve të sigurura, policia ka zhvilluar një kontroll në makinën e 36-vjeçarit F. H., bashkë me P. M., ku u gjetën dhe u sekuestruan 331,000 euro të padeklaruara.
Policia sekuestruoi shumën e parave dhe automjetin në cilësinë e provës materiale. Ndërsa vijojnë hetimet për burimin e parave.
Njoftimi:
“PKK Muriqan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për goditjen e një rasti të mosdeklarimit të parave që dyshohet janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Për këtë rast u arrestua shtetasi F. H., 36 vjeç, banues në Kryemadh, dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 35 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin tip “Mercedez Benz” me drejtues shtetasin F. H. dhe pasagjer shtetasin P. M. Në dy hapësira të modifikuara (në pjesën e tavanit dhe të bagazhit të automjetit), u gjetën 331 000 euro, që këta shtetas po tentonin t’i futnin ilegalisht në Shqipëri.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.
Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”