“Tërmet” në Policinë e Shtetit, Skënder Hita firmos disa ndryshime, priten të tjera lëvizje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur disa ndryshime në strukturat drejtuese të uniformave blu.
Sipas informacioneve, ndryshimet kanë prekur drejtimin e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë, si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit. Ndërkohë, në ditët në vijim priten lëvizje të tjera edhe në qarqe të ndryshme të vendit.
Luigj Vathi është emëruar drejtor i ri i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë. Vathi ka mbajtur më herët detyrën e drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Në këtë post, ai zëvendëson Gëzim Zhupajn, i cili e drejtonte strukturën prej rreth dy vitesh. Zhupaj është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë detyrën e shefit të sektorit.
Ndryshime janë bërë edhe në krye të Policisë së Elbasanit. Kastriot Skënderi është emëruar drejtor i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë së këtij qarku, duke zëvendësuar Fatmir Hoxhën.
Skënderi është një drejtues me përvojë në radhët e Policisë së Shtetit dhe ka mbajtur më herët disa poste drejtuese në strukturat policore.
Lëvizjet e fundit janë pjesë e riorganizimit të strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve, ndryshimet pritet të vijojnë edhe në qarqe të tjera, në kuadër të një rishikimi të drejtuesve vendorë pas marrjes së detyrës nga Skënder Hita në krye të Policisë së Shtetit.




