Tiranë / Zbardhet dinamika e aksidentit tragjik te “Treshi”, humb jetën 7-vjeçari

Është zbardhur dinamika e aksidentit të rëndë të ndodhur të martën në zonën e “Treshit”, në Tiranë, ku humbi jetën një i mitur 7-vjeçar.
Sipas të dhënave hetimore, përplasja ka ndodhur në momentin kur semafori ka kaluar në dritë jeshile për automjetet. Fillimisht, drejtuesi i mjetit Tomorr Shukulli i ka dhënë disa monedha fëmijës, të cilat më pas i kanë rënë në tokë. I mituri ka dalë përpara automjetit për t’i marrë, pikërisht në çastin kur mjetet kanë nisur lëvizjen.
Goditja e parë dyshohet se ka ndodhur në këtë moment, ndërsa përplasja fatale është shkaktuar nga automjeti i dytë që vinte pas, duke e lënë fëmijën poshtë rrotave.
55-vjeçari ka ndaluar menjëherë mjetin pasi ka dëgjuar thirrjet e qytetarëve dhe e ka transportuar të miturin drejt Spitalit të Traumës. Fillimisht, ai ka deklaruar se nuk e kishte përplasur fëmijën, por se kishte reaguar pasi kishte dëgjuar britmat dhe e kishte parë të plagosur në rrugë.
Ndërkohë, 42-vjeçarja që drejtonte automjetin e dytë është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.
Zbardhja e plotë e dinamikës është realizuar përmes kamerave të sigurisë në zonë dhe dëshmive të mbledhura. Disa orë më vonë është siguruar edhe një pamje filmike më e qartë, e cila dokumenton momentet e aksidentit.
Sipas burimeve, 7-vjeçari dyshohet se në momentin e ngjarjes ishte duke lypur në zonë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të të përfshirëve.




