Tjetër skandal me pronat në Fier/ 6 pasuri në Levan, arrestohet ish-drejtori i ASHK-së dhe përfituesi, sekuestrohen 715 mijë euro

Një tjetër çështje e dyshuar abuzimi me pronat është zbardhur në Fier. Prokuroria ka kërkuar masat e sigurimit ndaj tre personave, pas dyshimeve për falsifikim dokumentesh dhe regjistrim të kundërligjshëm të gjashtë pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh.
Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për shtetasin E.S., ish-drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dhe E.H., i dyshuar si përfituesi i pasurive, ndërsa për E.R., ish-hartograf pranë ASHK Fier, është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.
Hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 1715, të regjistruar më 5 nëntor 2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas Prokurorisë, hetimet nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe për tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara.
Në themel të hetimit ndodhet një vendim i vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili parashikonte njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit.
Një prej trashëgimtarëve përfitues, E.H., kishte përfituar më pas, në bazë të Vendimit nr. 1944, datë 26 nëntor 2018, të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh.
Megjithatë, pavarësisht kompensimit financiar, Prokuroria dyshon se gjatë vitit 2023 E.H. ka ndjekur procedurat për regjistrimin e 6 pasurive në Zonën Kadastrale nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë, duke iu referuar Vendimit nr. 246, datë 21 shkurt 2008.
Hetimi ka evidentuar edhe veprimet e ish-drejtorit të ASHK Fier, E.S., dhe ish-hartografit E.R., lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e këtyre pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë tjetërsuar përmes shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Prokuroria po vijon verifikimet për transaksionet, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre.
Një prej elementeve kryesore të hetimit është edhe sekuestrimi i 715.976 eurove, të cilat ndodheshin të depozituara në llogarinë bankare të E.H.
Përveç shumës së parave, gjatë hetimit janë sekuestruar edhe dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Prokuroria e Fierit bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale.
Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.




