Trafik heroine Greqi-Shqipëri-Maqedoni, ekstradohet nga Franca 52-vjeçari nga Fieri (EMRI)
Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim është ekstraduar nga Franca drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për Fraklin Xhelaj, 52 vjeç banues në Fier.
Ky shtetas akuzohet për disa vepra penale si “Trafikim i narkotikëve” “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ekstradimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lyon në Francë.
Fraklin Xhelaj u caktua për masën e “Arrestit në burg” nga GJKKO në vitin 2021. Së bashku me shtetas të tjerë ai dyshohet se është i përfshirë në trafikun e lëndës narkotike heroinë duke e transportuar mes Greqisë, Shqipërisë dhe pjesërisht në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu gjatë hetimeve me metoda speciale, Xhelaj dyshohet të jetë i përfshirë ne 3 episode të ndryshme kriminale gjatë vitit 2016, dy prej të cilave kanë mbetur në tentativë. Ai njihej ndryshe edhe me pseudonimin “Bebi”.
Tashmë ai i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana:
Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Lyon, Francë, është ekstraduar nga Franca, shtetasi shqiptar F. Xh., 52 vjeç, banues në Fier.
Për këtë shtetas, GJKKO, me vendimin e datës 19.07.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndës narkotike heroinë, duke e transportuar mes Greqisë, Shqipërisë, pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut.
Nga hetimet me metoda speciale, ky shtetas dyshohet të jetë përfshirë në tri episode të ndryshme të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë vitit 2016, dy prej të cilave kanë mbetur në tentativë.
Nga hetimet dhe veprimet e bashkërenduara midis autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre greke është bërë i mundur sekuestrimi i rreth 27 kg heroinë.
Shtetasi F. Xh., i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, kishte pseudonimin “Bebi”.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme.