Trafik nga Kolumbia në Greqi/ Sasia e dr**ës sekuestrohet në Itali, trafikantët gjeorgjianë u hodhën në det…

Një ngarkesë e re me lëndë narkotike me destinacion Greqinë u bllokua nga autoritetet italiane mesditën e së martës, këtë herë në portin e Tarantos.
Sipas informacioneve, një ngarkesë prej 35 kilogramësh kokainë e pastër ishte fshehur brenda një anijeje, e cila vinte nga Kolumbia dhe kishte ndaluar fillimisht në një port në Spanjë.
Destinacioni përfundimtar ishte një port në Greqi, por për arsye ende të panjohura, u ndal në portin e Tarantos në Italinë jugore.
Tre gjeorgjianë që po mbanin çantat me drogë zbritën nga anija, e cila ishte me frigoriferë.
Në atë moment, ndërhynë autoritetet italiane. Pasoi një ndjekje kinematografike, ku dy nga të tre ranë në det për të shpëtuar. Përfundimisht, të dy u arrestuan, ndërsa njëri është në arrati. Kërkimi për vendndodhjen e tij vazhdon.
Hetimi tani po përqendrohet në lëvizjet e anijes, mënyrat se si u fsheh droga, kontaktet e tre gjeorgjianëve dhe marrësve në Greqi. Ata po hetojnë gjithashtu nëse ka bashkëpunëtorë midis ekuipazhit ose një sasi më të madhe droge.
Sipas një oficeri italian, ky është një rrjet kriminal ndërkombëtar dhe zhvillimet e reja nuk mund të përjashtohen në orët në vijim.
Ditë më parë, italianët sekuestruan në Portin e Ankonës një ngarkesë prej 160 kilogramësh marijuanë dhe metamfetaminë, e cila kishte destinacion një port në Greqi. Për këtë u arrestua një 35-vjeçar grek, shoferi i kamionit që po transportonte ngarkesën e drogës.