Tragjedi e dytë në pak orë/ Elektricisti i OSHEE humb jetën gjatë punës

Një tjetër ngjarje tragjike është shënuar gjatë punës së punonjësve të energjisë elektrike. Një 32-vjeçar, punonjës i OSHEE-së, ka humbur jetën këtë mëngjes në fshatin Trojas të Belshit, pasi dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, ndërsa 32-vjeçari Klajdi Zekthi ishte duke kryer punime për riparimin e një linje elektrike.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë ndërhyrjes ai dyshohet se është goditur nga rryma elektrike, duke pësuar dëmtime të rënda që i kanë shkaktuar vdekjen.
Ngjarja vjen vetëm pak orë pas një tjetër tragjedie në qarkun e Fierit, ku një elektricist 46-vjeçar humbi jetën gjatë punës në fshatin Margëlliç të Patosit.
Dy raste fatale brenda pak orësh rikthejnë në vëmendje sigurinë në punë dhe kushtet në të cilat punonjësit e sektorit elektrik kryejnë ndërhyrjet në terren.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.




