Tragjedi në fabrikën e skafeve në Durrës, ku humi jetën një i ri i huaj pas shpërthimit të dyshuar të një bombole gazi

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në zonën e Fllakës në Durrës, ku një i ri, shtetas i huaj, ka humbur jetën si pasojë e një zjarri të shkaktuar nga shpërthimi i dyshuar i një bombole gazi.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja është regjistruar rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të një subjekti për prodhimin e skafeve në Sektor Rinia. Mësohet se në momentin e ngjarjes punonjësit ndodheshin në gjumë, kur dyshohet se bombola ka shpërthyer duke përfshirë nga flakët ambientin.
Zbardhet identiteti i 25-vjeçarit që humbi jetën sot në një prej magazinave të fabrikës së prodhimit të skafeve në Fllakë të Durrësit.
Si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, humbi jetën nga asfiksia Omar Faruk, një i ri nga Bangladeshi, ndërsa kolegu i tij, nga Kenia, 30 vjeç, ndodhet në spital, jo me plagë djegie, por i asfiksuar.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se ambienti i përdorur si kuzhinë, ku flinin edhe punonjësit e huaj, është shkrumbuar plotësisht. Sipas informacioneve paraprake, punonjësit ishin të punësuar me kontrata të rregullta. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.




