Tragjedi në Fier këtë 8 Mars: Humb jetën një grua në aksident automobilistik

Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një 39-vjeçareje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryqëzimin që lidh fshatin Varibop me aksin rrugor Levan–Tepelenë.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, por edhe atyre zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, një automjet tip “Kia”, që drejtohej nga shtetasja Nertila Abazaj, 39 vjeçe, ka dalë nga rruga e fshatit Varibop për të hyrë në aksin Levan–Tepelenë. Në momentin e hyrjes në këtë aks, automjeti i saj është përplasur me një furgon që po qarkullonte në këtë segment rrugor.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 39-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i furgonit, Pëllumb Muska, si dhe pasagjeri Sadik Rama, janë transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe patrullat e qarkullimit rrugor për të normalizuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment. Gjithashtu, u kërkua edhe ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për nxjerrjen e trupit të viktimës nga automjeti.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.




