Tragjedi në Radhimë, humb jetën 30-vjeçarja gjatë një zhytjeje pranë anijes së mbytur “Spitaliers”

Turistja rreth 30 vjeçe, e cila u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Vlorës pas një incidenti gjatë një zhytjeje në Radhimë, fatkeqësisht ka humbur jetën.
Sipas informacioneve paraprake, ajo ishte pjesë e një grupi zhytësish pranë vendit ku ndodhet anija e mbytur “Spitaliers”, kur gjatë zhytjes dyshohet se ka pësuar mungesë oksigjeni ose një komplikacion tjetër shëndetësor.
Pas përkeqësimit të gjendjes, turistja u nxor menjëherë në sipërfaqe nga zhytësit e tjerë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Burime nga spitali bënë me dije se ajo mbërriti në gjendje kritike, me vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni serioz.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për t’i shpëtuar jetën, 30-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e sakta dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik.




