Tragjedi në Roskovec/ Vetëm 4 ditë më parë ndërhyri policia në banesë – i moshuari vret bashkëshorten dhe më pas i jep fund jetës në Kuman

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme fshatin Kuman, në Roskovec, ku një i moshuar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, banues në fshatin Kuman, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri tip pushkë bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre. Më pas, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës.
Burime nga zona bëjnë me dije se vetëm katër ditë më parë, në banesën e çiftit kishte ndërhyrë policia për të sqaruar konfliktet e vazhdueshme mes tyre. Sipas banorëve, mosmarrëveshjet kishin qenë të shpeshta ndër vite.
Çifti Rrapaj kishte rreth 20 vite që jetonte në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga Levani i Beratit. Ata ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajza dhe 6 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.
Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e këtij rasti të rëndë.




