Tragjedia e Vidhishtit dhe pyetja që mbeti pezull: “Ku po shkon kjo shoqëri?”

Nga gazetarja Laureta Roshi:
VIDHISHT, ROSKOVEC – Këmbanat e Kishës së Shën Gjergjit binin ngadalë, ndërsa Vidhishti i jepte lamtumirën e fundit Kosta dhe Belere Plakës. Në varrezat e fshatit, mes dhimbjes së familjarëve dhe heshtjes së qindra banorëve, dy arkëmortet zbrisnin drejt banesës së fundit.
Në atë moment, një burrë mori fjalën. Lexoi disa rreshta në kujtim të çiftit dhe, para se të lëshonte letrën në njërin prej varreve të hapura, bëri një pyetje që mbeti pezull mbi të gjithë të pranishmit:
“Ku po shkon kjo shoqëri?”
Një pyetje që nuk kërkonte përgjigje në atë çast, por pasqyronte tronditjen e një komuniteti të tërë përballë një tragjedie që la pas tre jetë të humbura.
Ndërsa sot, në të njëjtat varreza, pritet të varroset edhe 35-vjeçari Refit Buzi, i cili sipas Policisë vrau çiftin e bashkëshortëve dhe më pas i dha fund jetës.
Një tragjedi që kishte shenja paralajmëruese
Ngjarja e Vidhishtit ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si trajtohen rastet e përndjekjes, zbatimi i urdhrave të mbrojtjes dhe reagimi institucional kur konfliktet mes ish-partnerëve zgjasin në kohë.
Sipas dokumenteve zyrtare, mes autorit dhe vajzës së familjes Plaka kishte ekzistuar një lidhje e mëparshme, e cila kishte përfunduar. Më 4 dhjetor 2025, Gjykata e Fierit kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje në favor të saj.
Më pas, ndaj 35-vjeçarit u ngritën akuza për përndjekje dhe shkelje të urdhrit të mbrojtjes. Në muajin prill, pas një kallëzimi të bërë në Komisariatin e Policisë Roskovec, ai u arrestua dhe më pas gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ngjarja tragjike ka ngritur tashmë pyetje mbi efektivitetin e këtyre masave dhe nëse kishte hapësira për ndërhyrje të tjera parandaluese.
Nga Londra në Vidhisht
Historia e 35-vjeçarit kishte kaluar edhe përmes emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte përfshirë më herët në një ngjarje të rëndë në Londër, ku kishte qenë viktimë e një pengmarrjeje.
Pas kthimit në Shqipëri, ai jetoi për një periudhë në Tiranë me të fejuarën e tij. Më pas lidhja përfundoi dhe, sipas hetimeve, konflikti mes tyre vijoi edhe pas ndarjes.
Dëshmitë e banorëve
Në Vidhisht, banorët flasin me zë të ulët. Disa prej tyre pretendojnë se autori ishte parë në lagje në orët e para të mëngjesit dhe se kishte trokitur edhe në banesa të tjera përpara se të shkonte në shtëpinë e familjes Plaka. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Banorë të tjerë pretendojnë se ditë para ngjarjes kishte pasur edhe përplasje fizike mes autorit dhe personave të afërt me vajzën, por edhe për këtë nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia.
Heshtja e një fshati
Vidhishti, i njohur për vilat e ndërtuara nga emigrantët dhe rrugët e qeta, sot është zhytur në heshtje.
Në banesën e familjes Plaka kanë mbetur ende shenjat e tragjedisë, ndërsa vajza e çiftit, e cila u shpëtua nga forcat e policisë, përballet me dhimbjen e humbjes së prindërve.
Në fund të ceremonisë mortore, kambanat vazhduan të bien, ndërsa pyetja e bërë mbi varre mbeti pa përgjigje:
“Ku po shkon kjo shoqëri?”
Një pyetje që sot nuk i përket vetëm Vidhishtit, por gjithë shoqërisë.
Laureta Roshi – fieriweb.com




