Tragjedia në Roskovec/ Ervin Karamuço zbardh dinamikën: Policia e lokalizoi autorin përmes sinjalit të telefonit

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka zbardhur detaje të reja mbi dinamikën e ngjarjes tragjike në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Refit Buzi vrau ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën, plagosi ish-partneren dhe më pas i dha fund jetës.
I ftuar në një emision televiziv, Karamuço u shpreh se Buzi kishte profilin e një përndjekësi të dhunshëm dhe ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas tij, marrëdhënia me ish-partneren kishte qenë e paqëndrueshme, ndërsa autori fajësonte vazhdimisht prindërit e saj për ndarjen.
“Është personaliteti i një përndjekësi, njeriu të dhunshëm, me urdhra mbrojtjeje, ishte në arrest shtëpie. Kishte një marrëdhënie me vajzën me ulje dhe ngritje, me çrregullime emocionale. Prindërit e saj i fajësonte për çdo gjë. Kishte disa ditë që nuk flinte gjumë dhe dy ditë që nuk hante bukë”, u shpreh Karamuço.
Sipas tij, mëngjesin e ngjarjes 35-vjeçari mori një armë gjahu dhe shkoi në banesën e ish-partneres, ku qëlloi fillimisht babanë e saj në gjoks dhe më pas nënën. Pas kësaj, ai goditi me tytën e armës edhe vajzën, duke e marrë me forcë me automjet.
Gjatë largimit, Buzi ndaloi një qytetar dhe i mori telefonin celular. Me atë telefon ai kontaktoi sallën operative të Policisë së Fierit. Karamuço tha se pikërisht përmes sinjalit të këtij telefoni, policia arriti të lokalizonte zonën ku autori kishte parkuar automjetin.
Ai shtoi se autori kishte zgjedhur një vend me fushëpamje të gjerë dhe në momentin e parë kishte kërkuar të fliste me shefin e një posti policie. Më pas nisën negociatat që zgjatën për disa orë.
Sipas ekspertit, forcat e policisë arritën fillimisht të bindnin 35-vjeçarin të lironte ish-partneren, duke i shpëtuar jetën. Gjatë gjithë kohës ai mbante armën me tytën në gojë dhe përsëriste se do t’i jepte fund jetës.
“Në një moment iu ofrua kafe dhe ujë. Doli nga makina, por vazhdonte ta mbante armën me vete. Më pas, gjatë pasdites, i dha fund jetës duke u vetëqëlluar në gjoks”, tha Karamuço.
Eksperti shtoi gjithashtu se Buzi kishte pasur probleme edhe jashtë vendit, përfshirë çështje të lidhura me lëndë narkotike në Britaninë e Madhe, si dhe vështirësi financiare e borxhe pas një biznesi të dështuar në Gjermani.




