KRONIKËSTAR CHANNEL
Tragjike në Fier/ Banesa përfshihet nga flakët, humb jetën i moshuari i paralizuar
FIER – Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Fermë Çlirim, ku një banesë është përfshirë nga zjarri.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Fierit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në banesën e shtetasit Flamur Braçaj, 71 vjeç, i cili jetonte i vetëm.
Për shkak se 71-vjeçari ishte i paralizuar dhe në pamundësi për të lëvizur, nuk ka mundur të largohet nga banesa. Si pasojë e zjarrit, ai ka humbur jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Autoritetet po punojnë gjithashtu për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.





