Trupi i Arben Lleshit ende në morg, familjarët e braktisin dhe të vdekur nga frika
Trupi i pajetë i Arben Lleshit, të dënuarit me burgim të përjetshëm që u ekzekutua në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë Peqin mesditën e 15 dhjetorit 2023, nga Sokol Mjacaj, vijon të mbahet në morgun e Tiranës.
Familjarët e tij ende nuk janë paraqitur pranë institucioneve për të kryer procedurat për tërheqjen e trupit dhe kryerjen më pas të ceremonisë mortore. Burime për News 24 bëjnë me dije se familja Lleshi nga fshati Rukaj i Burrelit deri më tani nuk ka marrë vendim për ta tërhequr trupin, për shkak se sipas disa burimeve, ka marrë sinjale se fisi me të cilin është në hasmëri mund të vijojë hakmarrjen.
Arben Lleshi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe më pas djegien e trupit të pajetë të Agim Hoxhës në 2012 në Britaninë e Madhe. Lleshi u vra brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë ne Peqin nga Sokol Mjacaj edhe ky i dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve cekë gjatë një tentativë grabitje në 2015.
Ekzekutimi i Arben Lleshit dyshohet të jetë kryer për motive gjakmarrje. Më herët, persona të paidentifikuar kanë vrarë dy xhaxhallarët e tij ndërsa i kanë rrëmbyer e zhdukur pa gjurmë dy kushërinjtë e parë. Pavarësisht se familja Lleshi deri më tani ka humbur 5 pjesëtarë, sërish ata i frikësohen hakmarrjes, edhe pse rezulton se të afërmit e kishin braktisur 37 vjeçarin dhe asnjë prej tyre se kishte takuar në burg vitet e fundit. Deri më tani ndonëse kanë kaluar 3 javë nga ngjarja e rëndë, në morg është paraqitur një i afërm i viktimës dhe ka bërë identifikimin e tij në morg, por më pas asnjë pjesëtar i familjes nuk ka nisur procedurat për tërheqjen e trupit. Nëse familja vendos të mos e tërheqë trupin, brenda 60 ditëve, atëherë Instituti i Mjekësisë ligjore kërkon autorizim nga prokuroria e Elbasanit dhe varrimi kryhet nga bashkia, sipas procedurave ligjore.
Për ekzekutimin me 3 plumba të 37-vjeçarit, akuzohet Sokol Mjacaj, por prokuroria nuk ka mundur të identifikojë ende urdhëruesit e krimit, ndonëse konfliktet mes dy familjeve janë të njohura prej 12 vitesh.