Tuneli i Llogarasë – ARRSH shpall fituesin për menaxhimin dhe mirëmbajtjen për 4 vitet e ardhshme

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur fituesin e tenderit për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Tunelit të Llogarasë për një periudhë 4-vjeçare. Bashkimi i operatorëve “A-M” dhe “Gjoka Konstruksion” do të marrë përsipër detyrën si “Menaxher i Tunelit”, me një ofertë prej rreth 230 milionë lekësh.
Sipas dokumenteve të tenderit, konsorciumi do të jetë përgjegjës për sigurimin e sigurisë, efektivitetit dhe eficiencës së operimit, si dhe për një menaxhim ekonomik të tunelit dhe rrugëve ndihmëse. Po ashtu, ata do të kryejnë mirëmbajtjen e makinerive operuese dhe punimeve të montimit, të domosdoshme për funksionimin e pandërprerë të kësaj vepre infrastrukturore.
Tuneli i Llogarasë, me një gjatësi prej 6 kilometrash, përfshin tunelin kryesor dhe atë të emergjencës. Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum–Himarë, duke shmangur krejtësisht ngjitjen e vështirë të Qafës së Llogarasë. Ndërtimi nisi në nëntor të vitit 2021, me një vlerë prej 17 miliardë lekësh.
Tuneli u hap përkohësisht gjatë sezonit turistik të verës 2024, por më pas u mbyll në tetor për të finalizuar punimet në tunelin e emergjencës. Dorëzimi përfundimtar i veprës pritet të realizohet brenda vitit 2025, ndërsa kalimi përmes tij do të jetë me pagesë, edhe pse tarifa ende nuk është bërë publike.