Tuneli i Llogarasë hapet në 5 korrik – Punimet nisën rreth 2.5 vjet më parë, vlera e investimit arrin në 17 miliard lekë
Tuneli i Llogarasë do të hapet në datën 5 korrik, duke shkurtuar ndjeshëm distancën për të aksesuar jugun e vendit. Data e hapjes është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke konfirmuar vënien e kësaj vepre infrastrukturore në dispozicion të qarkullimit të automjeteve.
Punimet për ndërtimin e tunelit nisën në 15 nëntor të vitit 2021, pas garës koncesionare të zhvilluar që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga 2 kompani (Intekar yapi turizm elektrik insaat sanayi ve ticaret limited dhe Sirketi asl insaat taahhut ve sanayi ticaret limited sirketi).
Kontrata koncesionare ka një kohëzgjatje prej 35 vitesh, ndërkohë që investimi kap vlerën e 17,036,526,000 lekëve. Sipas informacioneve të bëra me dije gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve, shpejtësia e lejuar në tunel do të jetë 50-80 km/orë, ndërkohë që vëllimi i makinave gjatë sezonit turistike pritet të arrijë në 10 mijë.
Ndërkaq, pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se këtë vit kalimi në tunel do të jetë pa pagesë, ndërsa tarifa do të nisë aplikimin vitin e ardhshëm, që përkon me përfundimin e plotë të punimeve.
Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum – Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë.