TURP HISTORIK / Apolonia po fundoset drejt rënies, akuza të forta ndaj Koço Kokëdhimës

Klubi i Apolonia Fier po përjeton një nga periudhat më të errëta të historisë së tij. Pas humbjes së sotme ndaj Besa Kavajë, skuadra fierake është vetëm një hap larg rënies nga Kategoria e Parë.
Rezultatet katastrofike kanë ndezur revoltën e tifozëve, të cilët drejtojnë gishtin nga presidenti Koço Kokëdhima, duke e konsideruar përgjegjësin kryesor për shkatërrimin sportiv të një klubi që dikur ishte krenaria e Fierit.
Sipas reagimeve të shumta, prej vitesh Apolonia është kthyer në një skuadër pa identitet, pa vizion dhe pa të ardhme. Kritikët akuzojnë Kokëdhimën se ka mbajtur peng klubin për më shumë se dy dekada, duke e larguar nga rrënjët dhe tradita e tij.
Një nga vendimet më të kontestuara mbetet largimi i futbollistëve të dalë nga akademia, mes tyre edhe brezi që u shpall dy herë kampion i Shqipërisë me U-19. Në vend të tyre janë afruar lojtarë anonimë, që sipas tifozëve nuk kanë sjellë as cilësi dhe as rezultate, por vetëm rënie të vazhdueshme.
Në Fier po shtohen zërat se klubi ka nevojë për çlirim dhe një fillim të ri. Tifozët kërkojnë largimin e menjëhershëm të Koço Kokëdhimës dhe rikthimin e Apolonisë në duart e njerëzve që e duan vërtet qytetin dhe futbollin fierak.
Ndërkohë, shumë sportdashës kërkojnë që Bashkia Fier të marrë shembull nga modele të tjera dhe të ndërtojë një projekt të ri, që t’i rikthejë qytetit ekipin që meriton.




