U kap me 100 kg kokainë në Spanjë, Media spanjolle shkruan se shqiptari i arrestuar është Kujtim Tanase
Janë zbuluar identitetet e disa prej personave të arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar në Spanjë e Kolumbi për shkatërrimin e një grupi kriminal ndërkombëtar të trafikut të kokainës, të përbërë nga shtetas shqiptarë, marokenë, kolumbianë e gjermanë. Operacioni “Botnia” çoi në sekuestrimin e 100 kg kokainë, 400 mijë dollarë asete kripto dhe në arrestimin e 12 personave, 10 në Spanjë e 2 në Kolumbi, mes të cilëve një shqiptar i kërkuar në Shqipëri për vrasje dhe një gjermani, të konsideruar nga Europoli si një nga objektivat me vlerë të lartë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Media spanjolle shkruan se shqiptari i arrestuar është Kujtim Tanase. Tanase rezulton person i shpallur në kërkim në Shqipëri për vrasje dhe ishte në pritje të ekstradimit. Bashkë me të është arrestuar i vëllai dhe krahu i tij i djathtë. Sipas mediave spanjolle grupi kriminal kërkoi ndihmë financiare nga grupi shqiptar për të financuar futjen në Spanjë të një sasie prej 100 kilogramësh kokainë nga Ekuadori. Mes dy të arrestuarve në Kolumbi është edhe Bulent Aslanoglu, alias “The Godfather”, një shtetas me shtetësi të dyfishtë suedeze dhe gjermane, të cilin policia e vendit skandinav e konsideron si ish-udhëheqës i një bande të quajtur Södertälje dhe e ka klasifikuar si HVT (akronimi në anglisht për “objektiva i vlerës së lartë” duke iu referuar më të kërkuarve). Ministria e Brendshme Spanjolle e cilësoi këtë të enjte operacionin si një “goditje të paprecedentë ndaj strukturës së një prej organizatave kriminale më të fuqishme ndërkombëtare”.
Hetimi filloi pak më shumë se një vit më parë, në fillim të vitit 2023, kur agjentët e Njësisë së Drogës dhe Krimit të Organizuar (Udyco) të Policisë Kombëtare zbuluan takime në Madrid dhe Malaga të trafikantëve të dyshuar të drogës nga grupe të ndryshme. Mes tyre ishin edhe tre të njohur të vjetër të forcave spanjolle të sigurisë. Njëri ishte Asnaloglu, i cili tashmë ishte arrestuar në vitin 2013 në Malaga, ku banon prej disa kohësh, për përfshirjen e tij në një sasi prej 246 kilogramësh kokainë të kapur në Francë, akt për të cilin kishte vuajtur dënimin në këtë vend. Dy të tjerët ishin vëllezërit Atrach, francezë me origjinë marokene, të dyshuar si drejtues të një bande të specializuar në pritjen dhe ruajtjen e drogës në Spanjë. Nga hetimet rezultoi se të tre dyshohet se organizonin hyrjen në Spanjë të sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia, vend ku Asnaloglu kishte kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesit e kësaj droge.