AKTUALITETKRONIKËLAJMI FUNDIT

U porosit për të vrarë ‘Sakatin’ dhe ‘Qorrin’ kundrejt 500 mijë eurove, zbardhen dëshmitë e të penduarit Amarildo Nikolli. Misteri pas financuesit vlonjat me qëndrim në Dubai


Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrulla, i konsideruar si një nga krerët e një grupi kriminal në Vlorë.

Reklama në FieriWeb - “VEGA GROUP”

Pjesë nga dokumentari:

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Ata e kishin marrë me kohë vendimin për ta vrarë. Por ndoshta kjo ishte për ta koha më e mirë për t’i dhënë fund në mënyrën e duhur. Ndaj për këtë qëllim, kishin marrë të gjithë masat e duhura, për ta zënë në pritë, duke thirrur në armë, edhe një vrasës me pagesë. Por Inez Hajrulla i njohur me nofkën ‘Sakati’ dhe miku i tij Ervis Matodashaj, i thirrur si ‘Qorri’ nuk ishin edhe aq të panjohur mbi rreziqet që u kanoseshin. Madje ata e dinin shumë mirë, se vënia këmbë në qytet, pa u kujdesur, do të ishte për ta një eliminimi i sigurt. Ashtu siç në fakt ‘Sakatit’ i kishte ndodhur edhe më herët, kur ishin përpjekur ta vrisnin nëpërmjet një shpërthimi të telekomanduar, që e la të gjymtuar për gjithë jetën.

Reklama në FieriWeb - “ALNORA”

Por, si u zbulua atentati, grupi i porositësve dhe i ushtarëve që ishin paguar për të ndjekur dhe vrarë Inez Hajrrulla, në muajin gusht të vitit 2023? Dhe cilat ishin meritë e thella që organizatorët e vrasjes kishin me këtë personazh, që duket se pas eliminimit të një tjetër lideri të krimit në qytetin e Vlorës, në këtë rast Edison Harizaj, të njohur me nofkën Edison Faqedjeguri, duket se kishte marrë frenat e botës së ligësive në këtë qytet, duke i hyrë pse jo në hise, personazheve të tjerë në këtë qytet, që kërkonin të kapnin lojërat e fatit.

Reklama në FieriWeb - “OAZI I PISHAVE”

Gjithçka sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ duket se nis pas arrestimit të një shtetasi nga Shkodra, i cili në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar kishte zbritur në qytetin e Vlorës, ku ishte parë shpesh të qarkullonte në zonën e frekuentuar nga bosi i ri, frekuentim që duket se i kishte rënë në sy edhe ushtarëve të tij. Ky vrasës me pagesë ishte Amarildo Nikolli (Xhanej), i cili më datë 7 gusht 2023, u arrestua pranë zonës së njohur si ‘Uji i Ftohtë’ në Vlorë, me një silenciator me vete, me një plumb në gojën e armës, gati për qitje. 35-vjeçari që me vete mbante edhe një çantë shpine, ku në brendësi iu gjetën një sasi municioni, kapuç dhe doreza, nga ku u zbulua se ai ishte aty për të vrarë Inez Hajrullan.

“Nga aktet e përcjella nga Prokuroria Vlorë, ka rezultuar se më datë 7 Gusht 2023, në orën 12:47, në lagjen ‘Uji Ftohtë’, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik të kryer shtetasit Amarildo Nikolli nga shërbimet e policisë të Sektorit ‘Fast Albania’, i janë gjetur në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës ‘Pietro Beretta’, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Gjatë kontrollit të banesës me qira që ky shtetas kishte marrë në qytetin e Vlorës në afërsi të shkollës “1 Maji”, u gjendën po kështu një palë dorashka plastike me mbishkrimin ‘Kedman’”, sqaronte policia.

Reklama në FieriWeb - “MEGATEK”

Por kush ishin njerëzit që fshiheshin pas Nikollit dhe cila ishte lidhja e tij me njërin prej tyre, konsideruar si personi kyç që kërkonte eliminimin e Hajrulla? Dhe cila ishte përplasja e tij e vjetër me atë që njihej si bosi i ri i qytetit; inat i mbartur në kohë që ishte kthyer për të në nevojë të domosdoshme për ta eliminuar. Sipas rrëfimeve dhe dekriptimit të bisedave midis anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, të gjetura edhe në telefonin e Amarildo Nikollit, atij që ishte paguar për të hequr qafe Inez Hajrulla, personi kyç që po investohej për të mbyllur hesapet me të, del se është Leonard Luzi, banues në Vlorë, i njohur me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’.

“Në lidhje me atentatin e dështuar ndaj shtetasit Inez Hajrulla, procedimi penal është regjistruar në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mbi dyshimet për një grup të strukturuar kriminal në përbërje të të cilit janë shtetas më banim në Vlorë dhe Tiranë. Të cilët kryenin vrasje me motiv hakmarrje, për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në përbërje të këtij grupi dyshohet se është edhe shtetasi Leonard Luzi banues në Vlorë, i njohur ndryshe me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’”, sqaronte Prokuroria.

Por Leonard Luzi që mban edhe mbiemrin Zejno dhe Amarildo Nikolli, nuk ishin koka dhe pjesëtari i vetëm i grupit kriminal që ishte vënë në ndjekje për të vrarë Inez Hajrulla. Hetimet zbuluan se bashkë me ta ishin edhe dy persona të tjerë, që kishin rol aktiv në survejimin e shënjestrës dhe mbledhjen e informacionit të nevojshëm, për lëvizjet e tij si edhe kohën kur duhet të godisnin. Këta persona ishin Muharrem Koroveshi dhe Erjon Zejno. Edhe pse në fillim Amarildo Nikolli, nuk pranoi të fliste për grupin hetues, ai shpejt u thye, duke treguar jo vetëm arsyen e ardhjes së tij në qytetin e Vlorës, por edhe bashkëpunëtorët e tij në vrasjen e bujshme që ata kishin menduar të realizonin në qytet.

“Gjatë marrjes në pyetje fillimisht shtetasi Amarildo Nikolli (Xhanej) refuzoi të jepte shpjegime. Por në vijim, ai pranoi të bashkëpunojë dhe të tregojë me detaje, se ishte kontraktuar nga Leonard Luzi, për të kryer vrasjen e dy personave në qytetin e Vlorës. Konkretisht të Inez Hajrulla me nofkën ‘Sakati’ dhe Ervis Matodashaj me nofkën ‘Qorri’, dhe se për të kryer këtë vrasje është ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi”, thuhet në dosjen hetimore.

Po përse Leonard Luzi kërkonte me kaq ngulm të vriste sidomos Inez Hajrulla? Dhe a ishte ai në të vërtetë financuesi i ekzekutimit, apo dikush tjetër e kishte ndërmjetësuar duke ditur dhe shfrytëzuar hakmarrjen e tij të vjetër me Hajrullan, me qëllim eliminimin e tij. Dhe si ishte njohur ai me Amarildo Nikollin? Ky i fundit tregonte hap pas hapi, të gjithë dinamikën se si ishte rekrutuar, por edhe detaje interesante për grupin hetues, për të kuptuar se si funksionon një grup kriminal dhe cili është organizimi i tyre nga baza deri në majën e piramidës. Por edhe pagesat se sa vlen një vrasje e niveleve të tilla, që përcakton edhe rëndësinë e kokës që duhet hequr nga trupi. Si në këtë rast kur valixhja me para për kokën e Hajrulla dhe Matodashaj, ishte e mjaftueshëm e majme.

“Amarildo Nikolli ka deklaruar se me Leonard Luzin janë njohur në burg në Itali. Ky shtetas i ka dhënë porosinë Nikollit, për vrasjen e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, kundrejt pagesës 250 000 euro për secilin. Për kryerjen e këtyre vrasjeve Amarildo Nikolli do të ndihmohej nga dy lidhjet e Leonard Luzit, shtetasit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi”, ka dëshmuar ai.

Por interesant në rrëfimin e Nikollit, është njeriu i veshur me mister, që jeton në Dubai, i cili kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’. Por cili është ky personazh, dhe cila ishte pengesa që i kishte krijuar Hajrulla dhe pse ai kishte gjetur Leonard Luzin, për ta quajtur të mbyllur këtë punë.

“Nga hetimet rezulton se financimi për vrasjen e Inez Hajrulla do të kryhej nga një shtetas nga Vlora me qëndrim në Dubai. Arsyeja për vrasjen e këtyre shtetasve, ka qenë marrja e kontrollit të lojërave të fatit si dhe për hakmarrje, pasi i kishin vrarë nipin”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra, siç shikohet Inez Hajrulla ishte futur dhe po zhvillonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës, treg i cili kishte rënë ndesh me interesat e konkurrentëve të tij. Por edhe me disa ngjarje të mëhershme kriminale, ku ai del se ishte i përfshirë ose ku rivalët e tij mendonin se ai kishte gisht. Po për t’iu rikthyer edhe njëherë personit të Amarildo Nikollit dhe vërtetuar se sa të besueshme ishin thëniet e tij kundrejt personave të tjerë të përfshirë në planin për ekzekutimin e Inez Hajrulla dhe mikut të tij Ervis Matodashaj, grupit hetues iu desh fillimisht të merrte disa konfirmime që lidheshin me armën e krimit por edhe me gjurmët e tij të gishtërinjve.

“Në lidhje me armën e sekuestruar tip ‘Beretta’, ajo del se është një nga shumë armët e vjedhura në një dyqan armësh në Maqedoninë e Veriut, më datë 22 Nëntor 2017, në këtë shtet. Po kështu nga kthimi i përgjigjes së Interpol Roma konfirmohet se gjurmët e gishtërinjve i përkasin shtetasit të regjistruar në Itali, Amarildo Nikolli (Xhanej) i datëlindjes 23 Shkurt 1988”, thuhet në dosje.

Related Articles

Back to top button