U shkrumbua brenda banesës/ Pogradec, zbardhet dinamika e ngjarjes. Detaji që hodhi dritë mbi vrasjen e 56 vjeçares

Një zjarr i dyshimtë që shpërtheu rreth orës 05:00 të mëngjesit ka çuar në zbulimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, e cila tashmë po hetohet nga prokuroria si vrasje.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri përfshiu një banesë ku dy dhoma u gjetën plotësisht të shkrumbuara. Ekspertët e shërbimit zjarrfikës konstatuan dy vatra të ndryshme zjarri, çka shton dyshimet se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Gjatë ekzaminimit të viktimës në morg, mjeku ligjor konstatoi se trupi nuk ishte plotësisht i djegur. Ajo që e bëri rastin edhe më tronditës ishte fakti se viktima kishte shenja dhune në trup dhe, më shqetësuesja, një prerje të thellë në zonën e fytit një tregues i qartë se zjarri mund të jetë përdorur për të fshehur një krim.
Prokuroria ka nisur menjëherë një procedim penal për veprën penale të vrasjes, duke e trajtuar ngjarjen si një akt të qëllimshëm kriminal, ku zjarri dyshohet se është përdorur për të mbuluar gjurmët e një ekzekutimi makabër.




