U vetëplagos me kallashnikov dhe genjeu policinë, 33-vjeçarit i zbulohet parcela me drogë
33-vjeçarit Hekuran Murtaj, banues në fshatin Stjar të Delvinës, i cili u arrestua disa ditë më parë nga policia e Sarandës për “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, i është zbuluar edhe një parcelë me lëndë narkotike “cannabis sativa”.
Murtaj shkoi i plagosur në spitalin e Sarandës më 20 shtator, duke deklaruar se i kishte plasur një fishek që e kishte gjetur në fushë dhe e kishte goditur me gur. Hetimet e policisë së Sarandës zbuluan se Murtaj ishte plagosur në Livadhja e Bashkisë Finiq, nga shkrepa e një armë zjarri “Kallashnikov” që ai e mbante pa leje. Pas plagosjes, vëllai dhe një shok i tij ishin siguruar për fshehjen e armës së zjarrit për të mos u zbuluar nga policia. Megjithatë, gjatë kontrollit të një celulari, policia u përball edhe me një tjetër veprë penale. Siç zbulohet nga aktet gjyqësore në vendimin për caktimin e masës së sigurisë: “Gjatë kqyrjes që i bëhet fotove dhe videove të regjistruara gjendet edhe një video e regjistruar në datën 2 Gusht 2023, 17 sekonda e cila tregon disa bimë të dyshuara narkotike “cannabis sativa” në mes të disa shkurreve dhe një video tjetër 23 sekonda e cila tregon të njëjta pamje. Nga ana e policisë gjyqësore janë ushtruar kontrolle në zonat dhe fushat midis fshatit Vagalat e Gravë me dron dhe u gjet vendi ku ishin kultivuar bimët e dyshuara narkotike, të cilat ndodheshin në shkarpëtin e lumit Pavilo në anë të fushave me misër i cili gjendet në afërsi të kodrës i quajtur Manzat në tre teritore të barabarta larguar nga njëra tjetra ku në to gjenden 42 bimë të dyshuara narkotike “Cannabis Sativa” nga këto 7 bimë u morën me cilësinë e provës materiale dhe u mbyllën në qesën e provës me numër serial unik C20013630 dhe u dërguan për ekspertizë. Pjesa tjetër e bimëve u asgjesuan nëpërmjet zjarrit. Në këtë territor ku u gjendën bimët narkotike u gjetën dhe u sekuestruan me cilësi e provës materiale një bidon plastik 0.5 L me mbishkrimin “ZAGORI”, dy qese plasmasi me ngjyrë të bardhë, si dhe disa rroba të cilat u dërguan për ekzaminim laboratorik”.
Megjithatë Prokuroria duket se ende nuk ka ngritur akuzën e “kultivimit të bimëve narkotike” ndaj Murtajt, në pritje të ekspertizës nga Tirana. Ai ndërkohë është lënë në masën “Arrest në burg” nga Gjykata për veprën penale “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, ndërkohë që shoku i tij Luan Ramaj është në masën “Arrest në shtëpi” ndërsa i vëllai Mullez Murtaj është lënë i lirë në masën “detyrim paraqitje”.