Ujku sulmon tufën e bagëtive në Karbunarë të Vogël, blegtori kërkon ndihmë nga shteti
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Karbunarë e Vogël të Lushnjës, ku një ujk ka sulmuar një fermë duke shkaktuar dëme të mëdha. Nga 80 kokë dhi dhe dele, 40 janë ngrënë nga ujku, ndërsa pjesa tjetër kanë mbetur të plagosura.
Sipas blegtorit Namik Sinani, sulmi ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit. Fillimisht ai mendoi se në vathë kishin hyrë hajdutë, por kur ka shkuar pranë bagëtive, ka parë ujkun që po i mbyste.
Vëllai dhe bashkëshortja e Sinanit shprehen se prej kohësh në zonë janë parë tufa ujqërish. Vetëm dy javë më parë, një ujk kishte mbytur edhe njëthundrakët në fshat.
Blegtori kërkon ndihmë nga shteti për kompensimin e tufës së dëmtuar, duke theksuar se pjesa më e madhe e bagëtive është e matrikulluar, ndërsa pjesa tjetër ishte shtesë e kohëve të fundit.
Banorët e Karbunarës shprehin shqetësimin se sulmet e ujqërve janë shtuar ndjeshëm. Sipas tyre, pylli i “Zgjanës”, pranë fshatit, është kthyer në strehë të këtyre grabitqarëve, numri i të cilëve është rritur shumë vitet e fundit, duke rrezikuar jo vetëm bagëtitë por edhe zonat e banuara.




