Ujqërit zbresin në fshatrat e Fierit! Kafshët e egra shqyejnë bagëtitë pas djegies së pyllit (Video)
Banorët e fshatrave në njësinë vendore të Levanit në Fier ndihen të rrezikuar pasi kafshët e egra kanë zbritur nga pylli dhe po sulmojnë jo vetëm bagëtitë e shpezët por dhe banoret e ketij fshati. Dhelpra, çakalli dhe ujku po bejne kerdine në bagetitë e imta, pasi djegia e Pish Poros qe ndodhet afer fshatit ka ndikuar në mungesën e ushqimit në habitatin e tyre.
“Unë kam frikë të dal natën se më ha ujku. Duhet të marrim masa, t’i qëllojmë me çifte por s’na lejon shteti. Parcelat tona janë 500 metra larg shtëpisë, natën nuk shkojmë dot në parcela, kemi frikë. Duam që së paku një sezon të hapet gjuetia dhe ti vrasim kafshët e egra. Ne s’dalim jashtë natën! Kanë sulmuar stanet dhe kotecet dhe kanë shqyer delet, dhitë, rosat, çfarë nuk hanë se u dogj pylli ndaj vijnë ne fshat për ushqim. Ato do hanë edhe njerezit ndaj ne kemi frikë, sidomos nga ujqërit”, thanë banorët.
Gjatë verës 2023 në Pish Poro e Darëzezë zjarret shkrumbuan 300 hektarë me pisha e shkurre. Djegia e pyllit dhe ndalimi prej vitesh i gjuetisë ka bërë që kafshë të egra si ujqër, çakenj, dhelpra, kunadhe të kërkojnë ushqim në stalla e kotece. Banorët thanë se janë të pajisur me armët e gjuetisë, por s’mund të qëllojnë mbi kafshët e egra për shkak të moratoriumit të gjuetisë./shqiptarja.com