Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega e Qarkut Fier, vlerëson Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me Certifikatë Mirënjohjeje për bashkëpunimin me median

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega e qarkut Fier, ka vlerësuar me Certifikatë Mirënjohjeje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, për bashkëpunimin e shkëlqyer, transparent dhe në kohë, mes Policisë dhe medias, duke e cilësuar këtë marrëdhënie si një model me standarde europiane në funksion të interesit publik.

Takimi u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku drejtuesi i saj priti një përfaqësi të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Qarku Fier. Në delegacion ishin kryetari i Unionit për qarkun, Vladimir Muçaj, njëkohësisht drejtor i medias online Newsalbania, gazetari dhe botuesi Mariglen Bita, themeluesi dhe drejtuesi i medias online fieriweb.com Ervis Profka, si dhe gazetari i njohur Fatmir Popja, një nga themeluesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Çertifikata e Mirënjohjes iu dorëzua Drejtorit Proda me motivacionin:

“Për kontribut të veçantë në forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias. Puna juaj ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një klime besimi, respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, duke e bërë informacionin publik më të aksesueshëm dhe komunikimin me gazetarët më efikas.”
Në fjalën e tij, Ilir Proda falënderoi gazetarët për vlerësimin, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një arritje personale, por një mirënjohje për gjithë trupën e Policisë së Shtetit, e cila prej kohësh e konsideron median si partner të domosdoshëm.

“Gazetarët janë gur themeli i shoqërisë, ura lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, syri dhe veshi i tyre, por edhe pasqyra ku ne shohim punën tonë. Shpeshherë jeni edhe oponenca konstruktive që na ndihmon të përmirësohemi. Transparenca dhe marrëdhënia korrekte me median nuk janë vetëm detyrim ligjor, por kulturë pune dhe bindje personale. Ky standard komunikimi do të mbetet gjithmonë prioritet i Policisë së Shtetit”, – u shpreh Proda, duke shtuar se tashmë ekziston një protokoll sigurie për mbrojtjen e gazetarëve dhe një pikë kontakti që ndjek çdo denoncim apo shqetësim të tyre.

Nga ana e tij, kryetari i Unionit, Vladimir Muçaj, vlerësoi se ky bashkëpunim është dëshmi e një kulture të re institucionale, ku media shihet si partner dhe jo si pengesë.

“Ky është një nga rastet e para ku një Drejtor i Përgjithshëm i Policisë i përgjigjet medias në kohë reale, pavarësisht ngarkesës së madhe të punës. Kjo qasje është shembull për t’u ndjekur”, – u shpreh Muçaj.

Gjatë takimit, palët diskutuan për mënyrat e përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes medias dhe Policisë, sfidat e raportimit të ngjarjeve kriminale, komunikimin në situata emergjente dhe aksesin e gazetarëve te informacioni zyrtar, pa cenuar proceset hetimore. Një moment i veçantë ishte edhe dhurimi i librit të gazetarit Mariglen Bita, i cili trajton çështje thelbësore mbi rolin e medias dhe sfidat profesionale në Shqipëri.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe përmbylli me angazhimin e të dyja palëve për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në bazë të transparencës, respektit institucional dhe profesionalizmit, në shërbim të interesit publik.





